Kuvendi shqyrton ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Specialen

LIVE

Redaksia
Albanian PostRedaksia

Hysni Gucati përfundon në Emergjencë 

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka përfunduar në Emergjencën e Prishtinës pas përshkallëzimit të protestës para Kuvendit të Kosovës.

Gucati është dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa protesta vazhdon të shoqërohet me tensione.

Protestuesit po kërkojnë nga deputetët votimin në lexim të dytë të projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Situata para Kuvendit është tensionuar gjatë orëve të mbrëmjes, ndërsa Policia e Kosovës ka shtuar praninë dhe ka bllokuar disa rrugë në kryeqytet.

Në Kuvend, ndërkohë, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë dalë nga salla, ndërsa brenda kanë mbetur deputetë të PDK-së, LDK-së dhe Aleancës.

Redaksia
Albanian PostRedaksia

Policia bllokon disa rrugë në Prishtinë pas protestës

Policia e Kosovës ka bllokuar disa rrugë të kryeqytetit, si masë shtesë sigurie pas protestave të protestuesve, të cilët po kërkojnë votimin në lexim të dytë të projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Ndërkohë, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje tashmë kanë dalë jashtë sallës së Kuvendit, ndërsa brenda institucionit legjislativ kanë mbetur deputetët e PDK-së, LDK-së dhe Aleancës.

Redaksia
Albanian PostRedaksia

Nis arrestimi i protestuesve

Pas përdorimit të gazit lotsjellës dhe topit të ujit, Policia e Kosovës ka nisur edhe arrestimin e protestuesve para objektit të Kuvendit.

Ndërkohë, përplasjet mes protestuesve dhe forcave të Policisë po vazhdojnë. Protestuesit kanë bllokuar rrugët me mjete të ndryshme, ndërsa në disa pjesë janë vënë flakë edhe kontejnerëve.

Situata përreth Kuvendit mbetet e tensionuar, ndërsa në terren vazhdojnë të jenë të pranishme dhe të angazhuara njësi të shumta policore.

Zhvillimet e fundit kanë ardhur pas përshkallëzimit të protestës lidhur me kërkesën për miratimin në lexim të dytë të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Redaksia
Albanian PostRedaksia

Protesta para Kuvendit shpërndahet përkohësisht

Protesta para Kuvendit të Kosovës është shpërndarë përkohësisht, pasi Policia e Kosovës ka përdorur gaz lotsjellës ndaj protestuesve.

Situata është tensionuar pasi protestuesit kanë bllokuar hyrjet dhe daljet e objektit të Kuvendit, duke kërkuar që deputetët të mos largohen pa përfunduar procedurat për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Pas përdorimit të gazit lotsjellës, protestuesit janë larguar përkohësisht nga zona përreth Kuvendit.

Gjatë ditës, protestuesit kishin hedhur edhe mjete piroteknike në drejtim të objektit të Kuvendit. Policia e Kosovës kishte njoftuar se kishte ndërmarrë masa ndaj një personi të dyshuar për hedhjen e mjeteve piroteknike.

Tensionet gjatë protestës janë rritur pas miratimit në lexim të parë të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, ndërsa protestuesit kanë kërkuar që procedura të përfundojë edhe me votimin në lexim të dytë.